Zëvendspresidenti i Parlamentit Evropian z. Rainer Wieland, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ka vizituar Odën Ekonomike Gjermano Kosovare. Ai është njoftuar në përgjithësi, nga drejtori ekzekutiv i OEGJK-së z. Albert Matoshi dhe anëtari i Bordit z. Olaf Steinhilb, për situatën e përgjithshme ekonomike në vend.

Zëvendëspresidenti z. Rainer Wieland, nuk ka lënë pa permendur edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke theksuar se ka një disponim shumë pozitiv të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që edhe qytetarët e Kosovës të jenë përftues.

“Besoj se kjo do të ndodh shpejtë, meqë ka një disponim pozitiv”, ka thënë z. Wieland.

Ai ka nënvizuar se liberalizimi i vizave do të jetë një mundësi shtesë për qytetarët e Kosovës, e në veçanti për bizneset që të shtojnë kontaktet dhe rrisin volumin e bashkëpunimit me kompanitë e shteteve evropiane, si rrjedhojë edhe të zhvillimit ekonomik. Ai premtoi se do të jetë përkrahës i mëtejmë i shtetit të Kosovës për të arritë nivelin e standardit në të gjitha fushat e nevojshme.

Gjatë këtij takimi shumë të frytshëm me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian z. Rainer Wieland, zëvendëspresidenti dhe anëtari i Bordit të OEGJK-së z. Olaf Steinhilb, njëherësh ekspert i fushës se aviacionit civil dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë “Germanwings” i informoi mysafirët mbi situatën aktuale në fushën e aviacionit dhe problemet me të cilat ballafaqohen operatorët aktual. Ai tha se ka shumë hapësirë për përmirësim të situatës në këtë fushë dhe kjo duhet të bëhet, veçmas, kur kihet parasysh konkurrenca e fortë rajonale, në mënyrë që Kosova tëpërfitoj sa më shumë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare z. Albert Matoshi, foli për aktivitetet e Odës në bashkëpunim me anëtarësinë, duke theksuar se roli kyç i organizatës është përkrahja dhe mbrojtja e interesave të anëtarësisë.

“Qëllim tjetër kemi thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me ekonominë gjermane dhe me investitorët potencial që planifikojnë të investojnë në Kosovë”, tha Matoshi.

Në këtë takim, pos z. Steinhilb dhe z. Matoshi, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e shoqatës Konrad Adenauer Stiftung në krye me z. Johannes Rey.