Oda Ekonomike Gjermano Kosovare është e përkushtuar që t’i forcojë edhe më tutje lidhjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet dy shteteve.

OEGJK mbështetë bizneset kosovare përmes programeve të trajnimit dhe kurseve të zhvilluara enkas për t’i përkrahur në rritjen e eksportit në Gjermani.

Me anë të trajnimeve përgatitore për eksport në Gjermani, që mbështeten nga Bashkëpunimi Ndërkombëtar Gjerman përmes projektit Krijimi i Punësimit përmes Promovimit te Eksportit, OEGJK ofron trajnime pa pagesë për firmat anëtare dhe jo-anëtare të saj.

Lule Bahtiri, koordinatore e projektit, tregon që deri në shkurt të vitit 2019 nga OEGJK përmes ekspertëve të fushës, do të ofrohen gjithsej 13 trajnime në procedura të eksportit, ISO standarde, qasje në financa, menaxhim dhe soft skills.

“Benefitet që kanë pjesëmarrësit nga trajnimet që i ofrojmë janë përveç aftësimit dhe thellimit të njohurive edhe rritja e mundësisë për eksport, rrjetëzim dhe punësim”, tregon Lule Bahtiri.

OEGJK bashkëpunon ngushtë me organizata dhe asociacione partnere në Gjermani, për t’i përkrahur ndërmarrjet kosovare të bashkëpunojnë me kompani gjermane.

Përpos kurseve, OEGJK ofron edhe këshillime individuale për eksport.

Gjatë vitit 2017, OEGJK ka trajnuar 374 përfaqësues të ndërmarrjeve anëtare dhe jo-anëtare përmes “Kurseve të Promovimit të Eksportit”.