Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, ka mbajtur punimet e rregullta të Kuvendit, në të cilin është bërë një rikapitulim i punës njëvjeçare, raportimi financiar, është zgjedhur një anëtarë i ri i Bordit Drejtues dhe janë vënë objektivat për të ardhmen

Presidenti i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, z. Samir Krasniqi, tha se OEGJK është ballafaquar me situata jo të lehta gjatë vitit kalendarik 2015, por të cilat janë kaluar me angazhimin të shtuar të të gjithë të punësuarve. Ai ka thënë se synimi i OEGJK-së, mbetet përkushtimi që të krijojë mes bizneseve të Kosovës dhe atyre nga Gjermania ura bashkëpunimi dhe të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve vepruese ekonomike në vendin tonë.

Zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, njëkohësisht udhëheqëse e seksionit të ekonomisë në këtë ambasadë znj. Christina Gehlsen, ka lavdëruar punën e OEGJK-së, duke premtuar përkrahjen e fuqishme të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë. Ajo duke folur në emër të ambasadorës gjermane znj. Angelika Viets, tha se Kosova dhe Gjermania duhet të zgjerojnë dhe po zgjerojnë çdo ditë e më shumë gamën e aktiviteteve e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe në këtë mes një rol shumë domethënës po luan edhe Oda Ekonomike Gjermano Kosovare.

Znj. Gehlsen, tregoi për përvojën e saj me investitorët gjerman të cilët janë të interesuar të kenë aktivitet në Kosovë, duke thënë se pos segmenteve ekonomike që u interesojnë atyre, ata pyësin edhe për situatën poltikike, sigurinë, stabilitetin shoqëror etj. Pos që këto janë elemente shumë me rëndësi për çdo investitor, znj. Gehlsen tha se Kosova duhet të shfrytëzoj potencialet e saj shumë të vlefshme, siç janë resurset ekonomike, gjenerata e re e motivuar e punonjësve potencial, por mbi të gjitha lidhjet që mërgata e Kosovës ka krijuar me ndërmarrjet e shumta në Gjermani.

Pas miratimit të Protokollit të punës nga mbledhja e kaluar e Kuvendit, presidenti z.Krasniqi ftoi drejtroin ekzekutiv z. Albert Matoshi që të prezantoj raportin financiar për vitin 2015. Drejtori z. Matoshi, pas prezantimit të raportit, u ka bërë thirrje anëtarëve të OEGJK-së që të kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve të OEGJK-së, duke u përgjigjur faturave për pagesë por edhe duke ftuar për anëtarësim kolegë e bashkëpunëtor të tyre.

Gjithashtu z. Matoshi, ka bërë një rikapitulim të aktiviteteve të punës së OEGJK-së, që nga koha kur ai është përzgjedhur në pozitën që mbanë. Nga takimet e shumta, z. Matoshi ka veçuar disa nga ato më të rëndësishmet, si me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, me drejtues të KfW-së, me kryesuesit e Sektorëve në OEGJK, vizitat e shumta bërë bizneseve anëtare, organizimin e konferencave punuese me tema të rëndësishme për ekonominë e vendit etj.

Pas raportimit të punës së bërë në OEGJK nga z. Matoshi, presidenti z. Krasniqi ka vërtetuar prezencën e mjaftueshme për kuorum dhe u ka propozuar të pranishëmëve që të ofrojnë emra për plotësimin e një vendi për anëtarë Bordi. Z. Krasniqi, ka propozuar si kandidate znj. Esther Gravenkotter, drejtoreshë e Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW) për Kosovë dhe Maqedoni. Nga të pranishmit, nuk ka pas ndonjë propozim tjetër ndërsa me votim të hapur me vota unanime znj.  Gravenkotter është bërë anëtarja më e re e Bordit të OEGJK-së, për ta ushtruar këtë pozitë deri në përfundim të mandatit të Bordit aktual.

Gjithashtu në këtë mbledhje, pikë e rendit të ditës ishte edhe përzgjedhja e dy revizorëve. Nga anëtarët e OEGJK-së prezent në këtë takim, janë propozuar kandidatë Sokol Krasniqi dhe Bejtullah Krasniqi. Që të dy, kanë marrë shumicën e nevojshme të votave dhe janë zgjedhur revizor të OEGJK-së.