Në konferencën me temën “Sfidat dhe e ardhmja e sektorit të energjisë në Kosovë”, organizuar nga Oda Ekonomike Gjermane-Kosovare (OEGJK), janë diskutuar çështje të shumta që lidhen me të tashmën dhe të ardhmen e njërit nga sektorët më të rndësishëm të zhvillimit socio-ekonomik në vend, siç është energjia elektrike. Nga të pranishmit e shumtë, është vlerësuar se jostabiliteti i furnizimit me energji elektrike vazhdon të jetë problem kryesor për bizneset.

Ndër të tjera, u tha se investitorët gjermanë kanë hasur në vështirësi të shumta për të depërtuar, megjithëse kanë qenë të interesuar për investime në sektorin energjetik.

Drejtori ekzekutiv i OEGJK-së, z. Albert Matoshi, tha se vendi ka kapacitete shumë të mira për prodhimin e energjisë elektrike, dhe këto resurse duhet përdorur për t’i dhënë mbështetje gjithë zhvillimit ekonomik.

“Por, fatkeqësisht ne kemi akoma probleme të shumta në furnizim të rregullt me energji elektrike dhe kjo po e dëmton procesin e punës së bizneseve, si pasojë edhe rritjen e tyre”, tha z. Matoshi.

Hamdi Malushaj, anëtarë i Sektorit të Energjisë në OEGJK, tha se Kosova duhet të shfrytëzoj kapitalin e saj energjetik, e veçmas do të duhej të fillonte me rindërtimin e TC “Kosova A”, pasi për këtë ka një studim shumë të mirë dhe një gatishmëri nga një kompani gjermane që ta finalizoj, porse, sipas tij, mungon vullneti nga institucionet e Kosovës për realizimin e projektit.

Por, ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Blerand Stavileci, mohoi se investitorët e huaj nuk gjejnë bashkëpunim nga institucionet e Kosovës për investime. Ai theksoi se janë takuar disa herë me ekspertë të ndryshëm gjermanë dhe kanë kërkuar mbështetje, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

“U kemi thënë se a keni mbështetje nga ndonjë institucion ndërkombëtar financiar. Na kanë thënë se për një javë do t’iu kthejmë përgjigjen. Janë bërë më shumë se një vit që nuk kemi asnjë përgjigje. Prandaj, të mos akuzojmë. Përndryshe edhe me ekspertët dhe investitorët gjerman po punojmë dhe do të punojmë edhe më shumë në të ardhmen”, tha ai.

Në këtë konferencë, Stavileci bëri të ditur se nga gjysma e muajit qershor do të mbahet një konferencë rreth “Kosovës A”, me ç’rast do të shpalosen disa pika kryesore të këtij projekti.

Arten Bajrushi, kryesues i sektorit të energjisë në OEGjK, tha se në vend se t’i sjellim investitorët e huaj në Kosovë, më mirë është të shqyrtohen mundësitë për të përkrahur investitorët që tashmë i kemi brenda.

Ndërsa Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se kjo temë është aktuale dhe se duhet të debatohet derisa të gjendet një zgjidhje.

“Ne kemi humbur shumë kohë që nga viti 2015 kur kemi ofruar strategji në Kuvend dhe ka ngelur aty. Sa i përket projektit ‘Kosova e Re’, nuk ka dilema që duhet të vazhdojë të zhvillohet”, tha Mustafa.

Salih Bytyçi, drejtor financiar ne Korporatën Energjetike të Kosovës, tha se ka disa pika të cilat pengojnë në investimet e energjisë dhe se shumë shpejt pritet hapja e minierave të reja.

Ymer Fejzullahu, udhëheqës i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE), tha se edhe në të kaluarën e kanë përkrahur projektin për “Kosovën e Re”, dhe do të vazhdojnë që ta përkrahin edhe tutje.

Pas shumë debatesh dhe zvarritjeje, Qeveria ka nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ndërkohë, fati i Termocentralit Kosova A, pritet të definohet në qershor të këtij viti, i cili ka qenë i paraparë të mbyllet në fund të dhjetorit të vitit 2017.