Oda Ekonomike Gjermano Kosovare në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore, kanë organizuar konferencën me temën “Marrëveshja e Stabilizim Asociimit – Efektet dhe sa jemi të përgatitur”. Në takim pos anëtarëve të OEGJK-së, ishin edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Hykmete Bajrami, Shefi i Operimeve të Zyrës së BE-së në Kosovë z. Christof Stock, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane z. Ramadan Ilazi, drejtori i INDEP z. Burim Ejupi etj

Albert Matoshi, drejtori i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, duke i’u drejtuear të pranishëmve, tha se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, është mjaft e rëndësishme për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe pritet që ta rritë konkurrencën për bizneset kosovare, të cilat tashmë do të jenë pjesë e një tregu prej 500 milionë banorësh.

Ai i ka porositur bizneset anëtare të Odës, që ta konsiderojnë këtë si një etapë të re në zhvillimin e ndërmarrjeve të tyre, por edhe të jenë të përgatitur dinjësisht, pasi pjesëmarrja në një treg të tillë kërkon kualitete të dëshmuara të produkteve dhe përgatitje të shumta që mundësojnë deportimin sa më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, u shpreh se MSA do t’i ndihmojë zhvillimit ekonomik të vendit.

“Me këtë marrëveshje bizneset kosovare do të përfitojnë më së shumti. Pritet që t’i sjellë mjaft dobi ekonomisë dhe rritjen e produktivitetit. Ne si qeveri jemi duke i bërë reformat e duhura për këtë marrëveshje”, tha Bajrami.

Shefi i Operimeve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock tha se kompanitë kosovare duhet të orientohen kah eksporti dhe të përgatiten sipas standardeve të BE-së.

“Kosova gradualisht është duke i harmonizuar standardet e BE-së dhe MSA pritet të ndikojë në konkurrencën e aktorëve ekonomikë dhe duke ulur çmimet e produkteve,” tha Stock.

Ramadan Ilazi, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane tha se MSA është një kornizë e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës dhe me anë të kësaj marrëveshje kompanitë kosovare do të kenë trajtim të barabartë në tregun evropian.