Dialogu konstruktiv ndërmjet qeverisë dhe komunitetit të biznesit do të jetë në fokus gjatë vitit 2019.  Prandaj, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), iniciuan serinë e takimeve “Business Talks”. Këto takime, ku do të diskutohet rreth temave relevante ekonomike, do të mbahen çdo tre muaj.

Në bisedën e parë, në kuadër të serisë “Business Talks”, drejtoresha e OEGJK-së Nora Hasani, pati të ftuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Kryeministri Haradinaj foli për fokusin e qeverisë këtë vit, i cili do të jetë pikërisht në zhvillimin ekonomik. Në një dialog të hapur ai iu përgjigj pyetjeve rreth furnizimit me energji elektrike, luftimit të korrupsionit, luftimit të ekonomisë joformale, mungesës së kuadrove të kualifikuara dhe rreth temave tjera që janë relevante për anëtarët e OEGJK-së. Haradinaj theksoi rëndësinë e një dialogu të vazhdueshëm ndërmjet qeverisë dhe komunitetit të biznesit, me qëllim që të krijohen kushte më të mira për të bërë biznes në Kosovë.

Pas çdo bisede, OEGJK bashkë me KAS do ta publikojnë një raport përmbledhës.

#BusinessTalks ofrojnë hapësirë për diskutime frymëzuese e informative, si mënyrë e shkëlqyer për shkëmbim të informacioneve, nxitje të dialogut me përfaqësuesit e bizneseve, dhe përfshirjes së zërit të biznesit në vendimmarrje në proceset që ndërlidhen me ekonominë.