Fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, është hapi më i rëndësishëm për Kosovën, që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Për shtetin tonë, nga sot, po fillon një etapë e re e zhvillimit ekonomik, të cilën duhet ta shfrytëzojmë me gjithë kapacitetet tona.

Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, na obligon që të shtojmë përpjekjet dhe kujdesin për rritjen e bizneseve vendore. Të gjetur, tashmë pjesë e një tregu të gjerë mbi 500 milion banorësh, paraqitet si një shans shumë e mirë por njëkohësisht edhe një sfidë serioze për ndërmarrësinë dhe shtetin e Kosovës.

Biznesi vendor duhet të jetë i përgatitur që të jetë konkurrues i denjë, ndërsa shteti duhet të shtojë maksimalisht angazhimin për të ndihmuar prodhuesin kosovar, që të arrij nivelet e standardeve të kërkuara për tregjet evropiane.

Në këtë rrugëtim të ri që nisi sot, bizneset kosovare nuk duhet të mbesin të vetme dhe nga shteti duhet të gjenden mënyrat më të mira për ta ndihmuar atë.

Pas hyrjes së marrëveshjes në fuqi, duke qenë koshient për situatën në të cilën ndodhemi, shteti është i detyruar të ndërmarrë reforma të theksuara në shumë fusha për të përmirësuar gjendjen e ambientit të përgjithshëm të të bërit biznes, e në veçanti të ndihmoj prodhuesit kosovar për të qenë konkurrent e partner të denjë me kompanitë evropian.

Tashmë pas fillimit të zbatimit të MSA-së, BE duhet ta konsideroj të pashmangshme heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës në kohë sa më të shpejtë. Kjo do ta lehtësonte dhe ndihmonte shumë mundësinë e marrëveshjeve eventuale ndërmjet ndërmarrësve kosovar e evropian, pasi, horizonti i mundësisë së zhvillimit të aktivitetit biznesor, është shumë më i gjerë dhe ne i gëzohemi faktit se produktet tona mund t´ia ekspozojmë një tregu që kalon mbi 500 milionë konsumator.

Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, konsideron se me fillimin e zbatimit të MSA-së, nuk u eliminuan sfidat ekonomike, porse mundësia na është dhënë që të dëshmojmë me punën tonë se ato mund t´i kalojmë dhe të ecim tutje suksesshëm.

Ne shpresojmë shumë që do ta shfrytëzojmë në maksimum këtë mundësi, pasi vendi do të ketë përfitime shumëdimensionale; në rritjen kualitative të prodhimeve; mundësinë thithjes së investimeve të huaja; bashkëpunimet më intensive mes bizneseve, etj.