OEGJK bashkë me Ambasadën Gjermane në Prishtinë, organizoi Festën e Fundvitit, për ta shprehur falenderimin e saj, ndaj anëtarëve, partnerëve dhe mbështetësve të OEGJK-së gjatë tërë vitit.

Viti 2018 ishte viti më i suksesshëm i OEGJK-së, që nga themelimi i Odës në vitin 2012. OEGJK e ka zgjeruar dhe diversifikuar portfolion e shërbimeve, duke i trefishuar aktivitetet. Ngjarjet rrjetëzuese më të parapëlqyera për anëtarët, përveç festës verore, ishin mëngjeset me anëtarë „Biznes ka për mëngjes“, ku anëtarët e Odës flasin me ekspertë rreth temave aktuale, si: Siguria Kibernetike, të drejtat e pronësisë intelektuale, siguria në punë etj.

Ndër ngjarjet më kulminante për 2018, janë padyshim pjesëmarrja e kompanive anëtare të OEGJK në Kongresin më të madh të blerësve Evropian, Simpoziumin e 53. të BME në Berlin, organizimi i Panairit të Punës me mbi 14 mijë pjesëmarrës, që është implementuar në bashkëpunim me MPMS dhe DIMAK/GIZ, si dhe “Java me Biznese të Diasporës” e bashkëorganizuar me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në të cilën morën pjesë mbi 100 kompani nga diaspora.

Temat si edukimi profesional dhe mungesa e kuadrove të kualifikuara, u ngritën gjatë njërit prej tre salloneve të së martës, që OEGJK i bashkë-organizoi me D4D. Një fokus i veçantë, edhe në vitin 2018 mbeti në përkrahjen e eksportit dhe organizimin e takimeve B2B.

Festa e Fundvitit u mundësua nga sponsori general DHL Kosovo 3P Logistics.