Drejtuesit e Sektorëve të Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, kanë mbajtur takimin e radhës, në të cilin kanë shpalosur problemet më të theksuara me të cilat ata ballafaqohen.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare z. Albert Matoshi, tha se prezantimi i problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset në vend jep një pasqyrë më të mirë të gjendjes së tyre operative. Si rrjedhojë, përballja por edhe zgjedhja e tyre duke i përçuar më pas në instancat vendimmarrëse, mund të jetë më efikase.

Drejtori i OEGJK-së, z. Matoshi, ka kërkuar nga kryesuesit e sektorëve, që të trajtojnë problemet më të theksuara me të cilat ballafaqohen në përditshmërinë e tyre. Ai u ka premtuar të pranishmëve, se do të këtë angazhim të shtuar për të rritur bashkëpunimin mes bizneseve të Kosovës dhe atyre nga Gjermania.

Dugagjin Sokoli, kryesues i Sektorit të Arsimit në OEGJK, ka thënë se në këtë kohë nga instancat më të larta shtetërore, janë në diskutim e sipër disa çështje të rëndësishme për zhvillimin e arsimit në Kosovë. Ai ka konsideruar se OEGJK, duhet të ngritë në diskutim publik këto problematika. Drejtori z. Matoshi, ka thënë se arsimi është baza më e vlefshme për zhvillimin e një shoqërie dhe e ndërlidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit, andaj ka premtuar se do të bëjnë ftesë institucioneve më të larta të vendit që bashkërisht të debatohen këto çështje.

Zëvendëskryesuesi i Sektorit të Energjisë në OEGJK z. Hamdi Malushaj, ka ringritur shqetësimet në lidhje me zhvillimet në fushën e energjisë, duke theksuar se nuk po i jepet vëmendja e plotë nga institucionet e shtetit, krijimit të aseteve për prodhim të energjisë së mjaftueshme. Ai ka vlerësuar se mosmarrja me seriozitet e ofertës për rikonstruimin e Termocentralit Kosova A, do të ketë dëme të mëdha e madje vendi do të mund të zhytet në një gjendje të rendë të mungesës së energjisë elektrike.

Arta Shehu nga Sektori i Shërbimeve në OEGJK, ka thënë se ky sektor është ndër më të mëdhenjtë në Kosovë dhe si i tillë ka probleme të caktuara të cilat vetëm po zvarriten nga viti në vit, pa u zgjidhur si të tilla.

Kryesuesi i Sektorit të Automobilizmit z. Baki Abdullahu, ka theksuar se anëtarët e sektorëve, duhet të tregojnë më shumë seriozitet dhe të jenë pjesë e takimeve kur ftohen nga kryesuesit.

Drejtori ekzekutiv i OEGjK-së, z. Matoshi tha se OEGJK do të vazhdoj të jetë zëri i bizneseve anëtare të saj dhe ka ofruar mbështetje për çdo iniciativë që vie nga struktura e anëtarëve të Odës.

Në këtë takim të mbajtur në ambientet e Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, ku të pranishëm ishin z. Dugagjin Sokoli kryesues i Sektorit të Edukimit, z. Hamdi Malushaj zëvendëskryesues nga Sektori i Energjisë z. Baki Abdullahu, kryesues i sektorit të Automobilizmit, znj. Arta Shehu, kryesuese e Sektorit të Shërbimeve, z. Faik Krapi zëvendëskryesues i Sektorit të Ndërtimit, si dhe z. Agim Prokshaj zëvendëskryesues nga sektori i Shëndetësisë.