lorem ipsum
lorem ipsum

Bordi i drejtorëve të Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, ka analizuar punën e vitit të shkuar dhe ka vënë objektivat projektuese të këtij viti.

Presidenti i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare z. Samir Krasniqi, pasi ka konstatuar kuorumin e nevojshëm për vazhdim të mbledhjes dhe marrje të vendimeve, dhe ka paraqitur rendin e ditës,ka thënë se përkundër vështirësive që kryesisht i diktojnë situatat e ndryshme shoqërore në vend, Oda Ekonomike Gjermano Kosovare ka luajtur dhe po luan në rol të rëndësishëm kontributdhënës në përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend. Ai ka theksuar OEGJK se si subjekt, ka kaluar në faza të vështira, duke përmendur se numri i anëtarëve, rejtingu i OEGJK-së dhe ndikimi i saj publik, kanë qenë në gjendje shumë të rëndë, vetëm dy vite më parë. Në atë kohë, menaxhmenti i ri e vlerësoi situatën si mjaft të pafavorshme dhe identifikoi hapat që duhet marrë për përmirësim të gjendjes. Sot, tha presidenti Krasniqi, OEGJK, është në gjendje krejtësisht tjetër, shumë më mirë, pasi pothuajse pa trefishuar numrin e anëtarëve, ka një rejting shumë më pozitiv ndërsa është faktorizuar si subjekt me peshë, duke u anëtarësuar madje edhe në organizmin më të lartë për çështje ekonomike në vend siç është Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Drejtori ekzekutiv i OEGJK-së, z. Albert Matoshi, ka bërë një rezyme të punëve dhe projekteve që janë përfunduar, kryesisht në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Ai ka veçuar disa nga projektet e realizuara, takimet e mbajtura me struktura vendore e ndërkombëtare si dhe organizime e pjesëmarrje në konferenca me tematikë të rëndësishme ekonomike. Z. Matoshi ka thënë se organizimi i konferencave debatuese me anëtaret e OEGJK e në të cilat kanë marrë pjesë shumë nga ministrat e kabinetit qeveritar, kanë rezultuar me sukses pasi janë ngritur shumë problematika me të cilat ballafaqohen bizneset në vend. Ai ka thënë se për këtë vit OEGJK, ka paraplanifikuar të ketë të paktën 15 konferenca të tilla, takime B2B por edhe vizita të shpeshta nëpër bizneset anëtare të OEGJK-së.

Anëtarja e Bordit  znj. Esther Gravenkotter, e ka vlerësuar si ambicioz planin e OEGJK-së për vitin 2016. Ajo ka thënë se është mirë që pas organizimeve të tilla të nxirren konkludime dhe të ndiqen hapat e mëtejmë për realizim të objektivave në mënyrë konkrete.

Ilir Aliu, përgjegjës për çështje financiare i Bordit, ka thënë se anëtarësimi i OEGJK-së në KKZHE, është një hap shumë i rëndësishëm.

Në këtë takim, pos presidentit z. Krasniqi dhe drejtorit ekzekutiv z. Matoshi, kanë marrë pjesë edhe zëvëndësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë znj. Christina Gehlsen, zëvendëspresidenti i OEGJK-së z. Olaf Steinhilb, znj. Esther Gravenkotter, z. Ilir Aliu, z. Korab Syla dhe z. Virtyt Ibrahimaga.