Premium Business Club at Missini Sweets

 

Të mërkurën, më 19.07.2017, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), në kuadër të Premium Business Club, së bashku me disa anëtarë Premium të odës e vizituan Fabrikën e Çokollatës dhe Ëmbëlsirave “Missini Sweets”. Aty mësuam historinë e bukur të suksesit të njërës nga pastiqeritë më të suksesshme të vendit.

Fillimisht u takuam në pastiqerinë “Missini Sweets” në qendër të Mitrovicës, te sheshi Adem Jashari, ku u pritëm nga pronari, z. Lindrit MISINI. Ishte me të vërtetë një pastiqeri e bukur dhe e madhe me produkte të freskëta e të bëra me dorë.

Historia e „Missini Sweets“ kishte filluar pikërisht në atë lokacion, para 10 viteve. Zonja e shtëpisë, Sabahate Misini me një mikser të rëndomtë dhe furrën e shtëpisë kishte filluar të përgatis torte dhe ëmbëlsira për familjarë dhe të afërm, e pastaj për tërë lagjen deri në momentin kur e kanë hapur një pastiqeri të vogël me 6 tavolina.

Sot, Missini i ka 9 pika të shitjes dhe ka të punësuar mbi 90 persona në fabrikë. Vlen të cekët që shumica e të punësuarve në këtë fabrikë ishin gra dhe vajza të reja. Më së shumti njihet për bakllavat e saja unike, për prodhimin e të cilave ka një kapacitet të jashtëzakonshëm, deri 300 tepsi në ditë.

Tërë këtë e kanë arritur me punë dhe pa ndihmën e askujt, përpos klientëve që i kanë qëndruar besnikë përgjatë viteve.

Me gjithë suksesin që kanë arritur deri tani, ata nuk kanë të ndalur. Deri në vitin 2020 synojnë të hapin pika të shitjes në të gjitha qytetet e Kosovës dhe ta arrijnë numrin e 15 pikave në tërë Kosovën. Synojnë të blejnë makineri të reja për prodhim të çokollatave kualitative dhe kështu edhe ta zgjerojnë gamën e prodhimtarisë, gjithnjë duke e ruajtur cilësinë për të cilën njihet kaq shumë dhe e cila ka sjellë suksesin e kësaj Fabrike.

Sabahate Misini, nëna e Lindritit, para se të përgatiste torte dhe ëmbëlsira për të afërmit, e më pas për fqinjët, punonte si teknologe në kombinatin Trepça së bashku me bashkëshortin, Fatmirin, i cili punonte si kontabilist.

Zonja Sabahate Misini punon çdo ditë në Fabrikë, nuk mund ta lë pasionin e saj për gatimin edhe pse tani ata kanë 90 të punësuar. Ajo punon si shefe e sektorit të prodhimit dhe përcjell çdo produkt që përgatitet duke siguruar cilësinë për secilin produkt veç e veç.

Na u kthehej ndjenja e fëmijës kur shëtisnim në mesin e tortave e ëmbëlsirave në Fabrikë, derisa punëtorë me uniforma të bukura e të pastra punonin pa u ndalur.

„Missini Sweets“ mbajeni në mend këtë emër, së shpejti mund t’i gjeni produktet para derës së shtëpisë, madje edhe nëse jetoni jashtë vendit.

 

Location: Mitrovicë, Missini Sweets

 

[osm_map_v3 map_center=”42.888,20.871″ zoom=”17″ width=”100%” height=”450″ ]